Data 13 gusht 2021 shënon 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një marrëveshje që kontriboi në rritjen e kohezionit të shoqërisë sonë, për një shoqëri të barabartë dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, si dhe për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.
Pjesa normative që doli nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Amendamenti 5 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut u kurorëzua me miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe të gjitha ndryshimeve të tjera ligjore dhe nënligjore për përfaqësim të barabartë.
Për të realizuar një nga postulatet kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gjegjësisht zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, u krijua Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka një rol kyç në mbrojtjen, promovimin, afirmimin dhe mbështetjen e përdorimit të gjuhës shqipe, por edhe të gjitha gjuhëve të tjera të qytetarëve që jetojnë në vendin tonë, me qëllim që të garantojë tolerancë ndëretnike dhe kohezion më të fortë social të të gjitha komuniteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një nga dokumentet më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut, një dokument që garanton paqen, stabilitetin, përfaqësimin e barabartë dhe kohezionin social në Republikën e Maqedonisë së Veriut.