Të nderuar,
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga nevoja për integrim dhe kohezion të brendshëm midis komuniteteve dhe kulturave të ndryshme në shoqërinë tonë, duke synuar të zhvillojë vendin tonë si një shoqëri multikulturore të bashkuar, të drejtë dhe të barabartë që kujdeset për dallimet, mbështet të drejtat universale dhe siguron qasje të barabartë në shërbime dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët më dha nderin, por në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi të madhe duke më emëruar në krye të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është një institucion i themeluar rishtas i cili është kompetent për zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga të gjitha institucionet kompetente.
Me qëllim të llogaridhënies, transparencës, informacionit dhe raportimit të vazhdueshëm për të gjitha aktivitetet dhe lajmet në lidhje me punën e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Ju njoftojmë se uebfaqja e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve është zyrtarisht në përdorim, të cilën mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: www.iuj.gov.mk.
Përmes uebfaqjes do të njoftoheni me misionin, vizionin, strukturën, planet e ardhshme dhe përparësitë e Inspektoratit dhe do të mund të ndiqni vazhdimisht të gjitha aktivitetet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve në lidhje me zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Përkujdesja për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut në ushtrimin e të drejtave të tyre që dalin nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve para institucioneve kompetente është një nga përparësitë e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Për këtë qëllim, në uebfaqen tonë do të gjeni një seksion të veçantë kushtuar kësaj. Përmes linkut Fletëparaqitje https://iuj.gov.mk/fleteparaqitje/Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve Ju lejon të paraqisni me lehtësi dhe shpejt të gjitha ankesat, parashtresat, kufizimet ose cenimet në ushtrimin e të drejtave Tuaja, por edhe nisma për të përmirësuar punën tonë ose lëvdata për atë që kemi bërë.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve shpreson në mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj për të promovuar përdorimin dhe zbatimin e gjuhëve të cilat i flasin qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Faleminderit.
Fatmir Iseni, Drejtor